BB: Shqipëria ka 10 importues për çdo eksportues, raporti më i lartë në Ballkan
Shqipëria ka raportin më të lartë të importuesve ndaj eksportuesve në pesë ekonomitë e Ballkanit Perëndimor.

Shqipëria ka mesatarisht dhjetë kompani importuese për çdo kompani eksportuese, raporti më i lartë ndër pesë ekonomitë e Ballkanit Perëndimor të analizuara nga Banka Botërore. Diferenca është dukshëm më e madhe se në Serbi, ku për çdo eksportues ka vetëm 1.5 importues, ndërsa në Maqedoninë e Veriut raporti është tre me një, në Kosovë katër me një dhe në Malin e Zi pesë me një.
Të dhënat publikohen në raportin e Bankës Botërore të tetorit 2026, “Nga hyrja në treg te mbijetesa: Logjistika tregtare dhe performanca e eksporteve në Ballkanin Perëndimor”, i cili analizon strukturën e tregtisë së jashtme në Shqipëri, Kosovë, Mal të Zi, Maqedoninë e Veriut dhe Serbi.
“Megjithëse importuesit janë më të shumtë se eksportuesit, numri i kompanive eksportuese është rritur vazhdimisht në ekonomitë e Ballkanit Perëndimor”, thuhet në raport.
Rreth 90 për qind e kompanive tregtare në Shqipëri merren vetëm me importe
Sipas Bankës Botërore, kompanitë që merren vetëm me importe përbëjnë mesatarisht rreth 90% të subjekteve që marrin pjesë në tregtinë ndërkombëtare në Shqipëri. Kjo është përqindja më e lartë ndër pesë ekonomitë e analizuara, duke reflektuar mbizotërimin e aktivitetit importues në strukturën e tregtisë së jashtme të vendit.
Në Malin e Zi, kompanitë që merren vetëm me importe përfaqësojnë 79% të subjekteve tregtare, në Kosovë 77%, në Maqedoninë e Veriut 65% dhe në Serbi 45%. Në të kundërt, kompanitë që merren vetëm me eksport përfaqësojnë më pak se 10% të subjekteve tregtare në shumicën e vendeve të analizuara, me përjashtim të Serbisë, ku pesha e tyre arrin mesatarisht në 21%.
Këto të dhëna evidentojnë dallimet në strukturën e pjesëmarrjes së bizneseve në tregtinë ndërkombëtare, ku Shqipëria ka një përqendrim më të lartë të kompanive që ushtrojnë aktivitet importues, krahasuar me ekonomitë e tjera të rajonit.
Kosova me rritjen më të shpejtë të eksportuesve, Shqipëria me zgjerim më modest
Banka Botërore vëren se, pavarësisht mbizotërimit të importuesve, numri i kompanive eksportuese është rritur në ekonomitë e Ballkanit Perëndimor gjatë periudhave të analizuara. Megjithatë, ritmet e zgjerimit ndryshojnë ndjeshëm ndërmjet vendeve.
Kosova ka regjistruar rritjen më të shpejtë të numrit të eksportuesve, me një zgjerim më shumë se trefish krahasuar me vitin bazë, veçanërisht pas vitit 2015. Në Shqipëri, Serbi dhe Maqedoninë e Veriut, rritja ka qenë më modeste, duke u luhatur ndërmjet 15% dhe 30% gjatë periudhave përkatëse të analizës.
Krahasimi tregon se, megjithëse numri i bizneseve që eksportojnë është rritur edhe në Shqipëri, zgjerimi ka qenë më i ngadaltë se në Kosovë, ndërsa raporti ndërmjet importuesve dhe eksportuesve mbetet më i larti në rajon.
Eksportuesit shqiptarë realizojnë mesatarisht 1.04 milionë dollarë eksporte në vit
Dallimet ndërmjet importuesve dhe eksportuesve shfaqen edhe në vlerën mesatare të aktivitetit tregtar. Sipas të dhënave të Bankës Botërore, në Shqipëri një kompani eksportuese realizoi mesatarisht 1.04 milionë dollarë eksporte në vitin 2023, ndërsa një kompani importuese regjistroi mesatarisht 150 mijë dollarë importe.
“Vlera mesatare vjetore e tregtisë së eksportuesve në Shqipëri është pothuajse tetë herë më e lartë se ajo e importuesve”, thekson Banka Botërore, duke iu referuar mesatares së periudhës së analizuar.
Kjo diferencë tregon se, ndonëse kompanitë importuese janë shumë më të shumta në numër, aktiviteti mesatar tregtar i një kompanie eksportuese është dukshëm më i lartë në vlerë.
Kompanitë që importojnë dhe eksportojnë realizojnë 95 për qind të eksporteve në rajon
Raporti evidenton gjithashtu rolin e kompanive që kryejnë njëkohësisht importe dhe eksporte. Megjithëse këto subjekte përfaqësojnë një pjesë relativisht të vogël të kompanive që marrin pjesë në tregtinë ndërkombëtare, ato realizojnë mesatarisht 95% të vlerës së eksporteve në rajon.
Sipas Bankës Botërore, pesha e këtyre kompanive në vlerën e eksporteve luhatet ndërmjet 90% dhe 99%, duke treguar rëndësinë e tyre në aktivitetin eksportues të ekonomive të Ballkanit Perëndimor.
Pjesëmarrja e kompanive që kryejnë njëkohësisht importe dhe eksporte është rritur veçanërisht në Serbi dhe Kosovë. Ndërkohë, në Shqipëri, Maqedoninë e Veriut dhe Malin e Zi, pesha e tyre në numrin e subjekteve tregtare ka mbetur relativisht e qëndrueshme.
Studimi i Bankës Botërore mbështetet në të dhënat doganore të viteve 2017–2023 për Shqipërinë, ndërsa për ekonomitë e tjera të Ballkanit Perëndimor janë përdorur periudha të ndryshme referimi. Të dhënat tregojnë se Shqipëria vijon të ketë raportin më të lartë të kompanive importuese ndaj atyre eksportuese në rajon, pavarësisht rritjes së numrit të eksportuesve gjatë periudhës së analizuar.
Burimi: Monitor
Më të lexuarat






k.jpg)